11/16/2013

MATERIALI SHTESË PËR LËNDËN E DREJTA BIZNESORE NDËRKOMBËTARE

MATERIALI SHTESË PËR LËNDËN
E DREJTA BIZNESORE NDËRKOMBËTARE
ORGANIZATAT EKONOMIKE NDËRKOMBËTARE
1. Organizatat deri në themelimin e OKB-së
Para themelimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në botë ekzistonin shumë
organizata ndërkombëtare, që ishin bazë për bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar në formë
multilaterale. Organizatat ndërkombëtare themelohen që nga gjysma e dytë e shekullit XIX, pikërisht
nga viti 1865 kur u themelua Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit, pastaj në vitin 1875 u
formua Unioni Postal Botëror, në vitin 1878 Organizata Meteorologjike Botërore dhe në vitin 1890 u
firmos Konventa për bartjen e mallit me komunikacion hekurudhor. Qëllimi i të gjitha këtyre
organizatave ndërkombëtare ishte zhvillimi i bashkëpunimit ndërkombëtar në formë multilaterale për
çështjet që ishin objekt i veprimtarisë së përhershme të tyre.
Në periudhën midis dy luftërave botërore po ashtu u themelua një numër i madh i organizatave
ndërkombëtare, nga të cilat posaçërisht dallohen: Lidhja e Kombeve, pastaj Organizata
Ndërkombëtare e Punës dhe Oda Tregtare Ndërkombëtare.
Nga të gjitha këto organizata, të themeluara në periudhën midis dy luftërave botërore, përkah
rëndësia, posaçërisht dallohet Lidhja e Kombeve ose siç quhet edhe ndryshe Liga e kombeve. Kjo
organizatë u themelua më 14 shkurt të vitit 1919 me seli në Gjenevë. Në kohën kur ajo ishte më e
fortë, në radhët e veta kishte 60 vende anëtare. Parimet kryesore, që u aprovuan nga vendet anëtare të
kësaj organizate dhe në bazë të të cilave duhej të realizohej bashkëpunimi ndërkombëtar, ishin:
respektimi i pavarësisë dhe integritetit territorial të vendeve të botës; zgjidhja e konflikteve
ndërkombëtare në mënyrë paqësore etj. Lidhja e Kombeve, ndaj disa vendeve agresore, në disa
raste ndërmorri sanksione ekonomike (si, për shembull, sanksionet ekonomike ndaj Italisë, pas
agresionit në Etiopi). Mirëpo, në këtë pikëpamje, nuk tregoi vendosmëri të duhur e as që ekzistoi një
mekanizëm për jetësimin e këtyre sanksioneve, kështu që në veprimtarinë e vet kjo organizatë kishte
mjaft dobësi të cilat rrodhën nga marrëdhëniet e atëhershme ndërkombëtare. Në atë kohë, dy fuqi të
mëdha - Franca dhe Britania e Madhe, insistonin që këtë organizatë ta shndërronin në instrument për
realizimin e interesave dhe qëllimeve të veta, kështu që në asnjë moment nuk e njohën si institucion
të përshtatshëm për ruajtjen e paqes në botë.
Prej vitit 1934 në këtë organizatë u kyç Bashkimi Sovjetik. Mirëpo, në vigjilie të Luftës së Dytë
Botërore: Gjermania, Japonia dhe Italia tërhiqen nga Lidhja e Kombeve, sepse përgatiteshin për luftë
dhe për pushtimin e territoreve të huaja, kështu që kjo organizatë me shpërthimin e Luftës së Dytë
Botërore ndërpreu aktivitetin e vet dhe u shua. Krahas themelimit të Lidhjes së Kombeve, në vitin
1919 u krijua edhe Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), gjithashtu me seli në Gjenevë. Me
themelimin e kësaj organizate u bë një hap para drejt zbatimit të standardeve internacionale me anë të
rekomandimeve dhe të konventave në fushën e rregullimit të marrëdhënieve të punës. Qëllimet
kryesore të kësaj organizate janë: hartimi i rekomandimeve dhe të konventave ndërkombëtare
nga fusha e marrëdhënieve të punës, si dhe informimi i opinionit botëror me problematikën e
punës dhe të marrëdhënieve në të. Në vitin 1919 u themelua edhe Oda Tregtare Ndërkombëtare me
2
seli në Paris. Aktiviteti i saj kryesor ishte i drejtuar në zhvillimin e tregtisë ndërkombëtare, në
zgjidhjen e problemeve të kësaj fushe si dhe në zhvillimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve
anëtare. Në periudhën midis dy luftërave botërore duhet përmendur edhe disa aksione në konferencat
e posaçme ekonomike, rreth zgjidhjes së problemeve kyçe ekonomike ndërkombëtare. Kështu, për
shembull, në vitin 1920 në Bruksel u mbajt Konferenca financiare ndërkombëtare kushtuar
problemeve monetare, me synim të sigurimit të mundësive për formimin e sistemit monetar
ndërkombëtar në kushtet e mbarimit të standardit të arit, që ndodhi gjatë Luftës së Parë Botërore. Një
konferencë e ngjashme u mbajtë edhe në vitin 1922 në Gjenovë, kur u vendos që, pos arit, si valuta
botërore, të jenë dollari amerikan dhe sterlina britanike, kështu që definitivisht u bë kalimi në
standardin ari-deviza. Pa marrë parasysh faktin se organizatat ndërkombëtare në periudhën midis dy
luftërave botërore nuk korrën suksese të mëdha në zgjidhjen e problemeve kyçe ekonomike
ndërkombëtare, meqenëse një numëri i madh i vendeve ishin koloni, prapëseprapë mund të thuhet se
përvoja e tyre ndikoi mjaft në themelimin e mëvonshëm të një numri të madh të organizatave të reja,
në krye me Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
2. Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB)
Gjatë Luftës së Dytë Botërore fuqitë e mëdha të botës ndërmorën iniciativën që, në kushtet e reja, të
zhvillojnë dhe të përsosin aso forma të organizatave ndërkombëtare, që ekzistonin brenda Lidhjes së
kombeve. Prandaj, gjatë luftës lindi ideja për themelimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Vendimi definitiv për themelimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara u muar në takimin e
përbashkët të Ruzveltit, Çerçilit dhe Stalinit më 11 shkurt të vitit 1945 në Jalltë, ku njëkohësisht u
vendos edhe mbajtja e Konferencës në San Francisko, më 25 prill të vitit 1945. Në Konferencën e
San Franciskos u themelua Organizata e kombeve të bashkuara dhe u miratua Karta e OKB-së, të
cilën e firmosën 51 vende. Sot kjo organizatë përfshinë 186 vende, me një tendencë të përhershme të
rritjes së këtij numri.
Qëllimet dhe parimet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara janë theksuar në nenin 1 të Kartës, dhe
ato janë:
a) Të ruajnë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe për këtë qëllim të ndërmarrin masa
kolektive të përshtatshme për pengimin dhe për evitimin e tërë asaj, që rrezikon paqën dhe
për pengimin e agresionit ose të çrregullimeve të tjera të paqës, që edhe me mjete paqësore
dhe në formë të parimeve të së drejtës ndërkombëtare, të veprojnë në rregullimin dhe në
zgjidhjen e kontesteve ndërkombëtare dhe të situatave të ngjashme, që rrezikojnë paqën;
b) Të zhvillojë marrëdhëniet miqësore ndërmjet kombeve të bazuara në respektimin e parimeve
të barazisë dhe të vetëvendosjes së popujve, si dhe me qëllim të forcimit të paqes në botë të
ndërmarrë masa tjera të përshtatshme.
c) Të realizojë bashkëpunimin ndërkombëtar duke zgjidhur problemet ndërkombëtare të
natyrës ekonomike, shoqërore, kulturore dhe humanitare, duke përkrahur dhe duke zhvilluar
respektimin ndaj të drejtave të njeriut dhe ndaj lirisë elementare për të gjithë, pa marrë
parasysh racën, gjininë, gjuhën ose fenë; dhe
d) Të jetë qendër ku do të harmonizohen qëndrimet e kombeve drejt realizimit të këtyre
qëllimeve të përbashkëta.
Organet kryesore të kësaj Organizate, siç theksohet në nenin 7 të Kartës, janë: Kuvendi i
Përgjithshëm, Këshilli i Sigurimit, Këshilli Ekonomik dhe Social, Këshilli i Kujdestarisë, Gjyqi
Ndërkombëtar i të Drejtës dhe Sekretariati. Për këtë fushë posaçërisht është i rëndësishëm Këshilli
Ekonomik dhe Social (ECOSOC), i cili shqyrton çështjet ekonomike dhe sociale në botë. Ky Këshill
qëllimet e veta i realizon nëpërmjet komiteteve (Komiteti ekonomik, Komiteti social, Komiteti
3
koordinues, Komiteti i ndihmës teknike dhe Komiteti i organizatave joqeveritare), komisioneve
(Komisioni i statistikës, Komisiioni i popullsisë, Komisioni social, Komisioni për të drejtat e njeriut,
Komisioni për të drejtat e gruas, Komisioni për mjetet narkotike dhe Komisioni i tregtisë
ndërkombëtare të lëndëve të para) dhe komisioneve ekonomike rajonale (Komisioni ekonomik për
Evropë, Komisioni ekonomik për Amerikë Latine, Komisioni ekonomik për Azi dhe Lindje të
Largme dhe Komisioni ekonomik për Afrikë).
Në nenin 57 të Kartës është paraparë mundësia e themelimit të agjencive të specializuara të OKB-së.
Kështu u themelua një numër i madh i agjencive të tilla. Organizatat ndërkombëtare të themeluara
para OKB-së morën statusin e agjencive të specializuara, kurse ndër të rejat duhet përmendur këto:
Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim me afilacionet e
veta, Marrëveshja e Përgjithshme për Dogana dhe Tregtia (Organizata Botërore e Tregtisë),
Konferenca e KB për Tregti dhe Zhvillim, Organizata Ndërkombëtare për Ushqim dhe Bujqësi etj.
Në vazhdim do të prezantohet veprimtaria e agjencive kryesore të OKB-së.

No comments:

Post a Comment