11/16/2013

Fondi Monetar Ndërkombëtar - FMN

Fondi Monetar Ndërkombëtar - FMN
a) Planet që i paraprinë themelimit të Fondit
Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, përveç që zgjidhi disa probleme politike, kontribuoi mjaft edhe
në zgjidhjen e disa çështjeve të sistemit monetar ndërkombëtar. Duhej të zgjidhej mënyra e pagesave
ndërkombëtare dhe problemet e tjera monetare lidhur me këto, siç janë, për shembull, kreditimi i
ekonomive të vendeve të ndryshme të shkatërruara gjatë luftës ose ato që kishin vështirësi në bilancin
e pagesave. Për këtë qëllim, gjatë Luftës së Dytë Botërore, u paraqit një numër i madh i
planeve, nga të cilat duhet veçuar dy më kryesore:
I. Plani i Uajtit; dhe
II. Plani i Kejnsit.
Këto dy plane u paraqitën në të njëjtën kohë (në vitin 1943) në dy vendet e zhvilluara të botës: në
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Britaninë e Madhe.
1) Plani i Uajtit është propozim i ekspertëve amerikanë për çështje monetare, bazë e të cilit
ishte zbatimi universal i standardit të arit, përkatësisht ruajtja e kurseve të caktuara valutore
të vendeve anëtare. Stabiliteti i kurseve valutore duhej të sigurohej përmes Fondit të
Stabilizimit të Kombeve të Bashkuara, i cili do të përbëhej prej ari që e paguajnë vendet
anëtare në formë të kuotave të caktuara. Pagesa e kuotës duhej të bëhej në ar (një pjesë) dhe
në valutë kombëtare (pjesa tjetër). Tërë shuma e kuotës së paraparë me këtë Plan duhej të
ishte 5 miliardë dollarë. Kërkesat e Fondit të Stabilizimit të Kombeve të Bashkuara duhej të
ishin në një njësi të posaçme valutore "junitas", vlera e të cilës duhej të ishte 10 dollarë
amerikanë. Vlera e çdo valute duhet të përcaktohej në bazë të "junitas"-it dhe kjo vlerë nuk
mund të ndryshonte pa pëlqimin e 4/5 të votave të vendeve anëtare të këtij institucioni. Fondi
i Stabilizimit i KB do t'i shiste një vendi valutat e vendeve të tjera anëtare, kur këto do t'i
nevojiteshin për baraspeshimin e bilancit të pagesave në një shumë maksimale prej 200% të
kuotës.
2) Plani i Kejnsit. - Në Britaninë e Madhe ekonomisti i njohur Kejnsi doli me planin e vet, bazë
e të cilit ishte zëvendësimi i sistemit të standardit të arit me një sistem të ri. Ky sistem i ri
4
duhej të zbatohej përmes Lidhjes Ndërkombëtare të Kliringut, në të cilën do të përfshihen të
gjitha vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara.
Kejnsi, si edhe Uajti, paramendoi një para të posaçme të quajtur "bancor". Në këtë Lidhje llogaritë e
vendeve anëtare do të mbaheshin duke pasur për bazë këtë valutë. Vlera e "bancor"-it do të shprehej
në ar, mirëpo, kjo vlerë nuk përcaktohet me këtë Plan. Nëse një vend i kishte borxh një vendi tjetër,
atëherë ky borxh do të paguhej përmes Lidhjes me "bankor" e jo me ar. Meqenëse të dyja këto plane
mbronin interesat e vendeve të veta, si të tilla, nuk u pranuan. Mirëpo, edhe pse nuk u miratuan,
mund të thuhet se ato shërbyen si bazë diskutimi në Konferencën monetare e financiare të Kombeve
të Bashkuara në Breton-Vuds (SHBA), që u mbajt prej 1-22 korrik 1944. Në këtë Konferencë, si
rezultat i kompromisit midis planeve të Uajtit dhe të Kejnsit, u vendos të themelohen Fondi Monetar
Ndërkombëtar dhe Banka Ndërkombëtare për Rindërtim e Zhvillim, kurse vendimin për këtë e
nënshkruan 44 vende.
b) Qëllimet dhe mjetet e Fondit
Qëllimet kryesore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (Neni 1 i Statutit) janë:
 zhvillimi i tregtisë ndërkombëtare në bazë multilaterale, duke ruajtur punësimin e plotë;
 lidhja e valutave me ar;
 ruajtja e stabilitetit të valutave me kurse fikse valutore të vendeve anëtare;
 dhënia e ndihmës për evitimin e deficitit të bilancit të transaksioneve rrjedhëse dhe
 kalimi në konvertibilitetin e jashtëm të valutave kombëtare.
Duke qenë se Fondi, për evitimin e deficitit të bilancit të pagesave, ua akordon vendeve anëtare kredi
me afat të shkurtër e të mesëm (3-5 vjet), ai ka mjetet e veta, që formohen në bazë të pagesës së
kuotave të vendeve anëtare. Kuota e çdo vendi caktohet në bazë të formulës së Bretonvudsit, e cila
përmban këto elemente: të ardhurën kombëtare, rezervat monetare, importin, eksportin dhe oscilimet
eksportuese.
Ç’prej themelimit, kuotat e vendeve anëtare të Fondit u rritën disa herë dhe, pas rritjes së fundit, në
vitin 1998, ai dispononte një kapital prej 145, 3 miliardë SDR ose 188,9 miliardë dollarë (sipas kursit
1 SDR = 1,3 dollarë amerikanë). Kuotën më të madhe e kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës
(19%), pastaj Japonia (6%), Gjermania (6%), Britania e Madhe (5%) dhe Franca (5%). Pra, kuota e
këtyre pesë vendeve të zhvilluara është 41%, të mjeteve të përgjithshme të Fondit. Kjo ka rëndësi
shumë të madhe kur merret parasysh e drejta e votës. Në bazë të së drejtës së votës, çdo vend anëtar
disponon vota në përpjesëtim me kuotën. Konkretisht, çdo vend merr automatikisht 250 vota, të
quajtura "vota bazë" dhe pastaj për çdo 100.000 dollarë të kuotës, merr edhe një votë plus.
Vendimet e Fondit merren vetëm pasi të jenë siguruar 85% të votave. Prandaj, mbi këtë bazë, mund
të thuhet se politikën e Fondit (edhe të Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim e Zhvillim) e
udhëheqin vendet e zhvilluara, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në bazë të numrit të
votave, SHBA kanë të drejtën e vetos. Kuotat e veta vendet i paguajnë kuotat e veta 25% në ar dhe
75% në valutë kombëtare. Mjetet në valuta kombëtare, Fondi i mban në formë të kërkesës së kësaj
valute në llogarinë e Bankës qendrore të vendit anëtar. Deri në lartësinë 25% të kuotës (sa është
pagesa në ar), vendi anëtar ka të drejtë që automatikisht të marrë kredi nga Fondi, kurse mbi 25%, të
kuotës, kërkohet pëlqimi i Fondit. Prej vitit 1978 vendi anëtar pjesën e kuotës nuk e paguan në ar, por
5
në valutë konvertibile. Vendi anëtar mund të marrë kredi nga Fondi në lartësi në më së shumti deri
200% të kuotës.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ua akordon vendeve anëtare dy lloj kredish:
1) Kredi efektive ("drawing") dhe
2) Stend-baj ("Stand-by") kredi.
a) Kredinë efektive, vendi anëtar mund ta marrë menjëherë nga Fondi. Meqenëse vendi i
kredituar ka të drejtë që ta shfrytëzojë automatikisht kredinë në kuadër të pjesës së kuotës në
ar (25%), mund të thuhet se kredia efektive hyn në këtë pjesë të kuotës.
b) Stend-baj kredia, e cila zbatohet nga vitit 1952, është kredi limituese me një afat të caktuar
dhe vendi anëtar nuk e shfrytëzon menjëherë (automatikisht), por kjo varet nga vlerësimi dhe
vendimi i Fondit. Pra,kjo kredi hyn në pjesën e kredisë, të cilën Fondi ia lejon vendit anëtar
mbi pjesën e kuotës në ar. Stend-baj kredia, është një kredi, të cilën Fondi ia akordon vendit
anëtar me kushte të caktuara. Në çdo kredi të tillë ekziston lidhshmëria e ngushtë midis
tërheqjes së mjeteve dhe dinamikës kohore të sanimit të gjendjes së bilancit të pagesave.
Prandaj, tërë shuma e stend-baj kredisë ndahet në disa këste vjetore dhe ato mund të
shfrytëzohen vetëm nëse programi i sanimit realizohet me të vërtetë. Në atë moment, kur ky
program nuk realizohet ashtu si është paraparë, ndërpritet tërheqja e mjeteve nga kjo kredi.
Nëse kjo ndodh, atëherë bëhen konsultime plotësuese midis Fondit dhe vendit anëtar.
Në vitin 1995 Fondi i lejoi Meksikos kredi në vlerë prej 17 miliardë dollarë dhe kjo është kredia më e
lartë ç’prej themelimit të saj. Pas Meksikos, radhiten Argjentina, Rusia, etj. Meqenëse Fondi bën
shitblerjen e valutave të vendeve të ndryshme, ekziston mundësia e shterjes së potencialit kreditor të
Fondit në një apo më shumë valuta kombëtare, të cilat kërkohen më së shumti. Rëndom, më së
shumti kërkohet valuta e atij vendi, i cili, një kohë të gjatë, ka suficit në bilancin e vet të pagesave.
Për këtë arsye, Fondi mund të gjendet në situatë që të mos ketë mjete në ndonjë valutë kombëtare, e
cila kërkohet shumë, përkatësisht të shteret rezerva e asaj valute të Fondit.
Me qëllim që të evitohet ky problem, prej vitit 1962, Fondi zbaton të ashtuquajturën politikë
selektive valutore. Esenca e saj qëndron në orientimin e vendeve anëtare në pikëpamje të zgjedhjes
së valutës, si me rastin e akordimit të kredive, ashtu edhe me rastin e kthimit të tyre. Fondi akordon
kredi në valutën që e ka në sasi të mjaftueshme, kurse kthimi nuk bëhet medoemos në atë valutë, në
të cilën është shfrytëzuar kredia, por në atë valutë, të cilën Fondi nuk e ka në sasi të mjaftueshme.
Kështu, politika selektive valutore, si me rastin e shfrytëzimit, ashtu edhe me rastin e kthimit të
kredisë, ndikon pozitivisht në ruajtjen e strukturës së volitshme të mjeteve të Fondit në valuta
kombëtare. Nëse me politikë selektive valutore nuk pengohet shterja e mjeteve të Fondit në ndonjë
valutë, atëherë Fondi i aktivizon rezervat e veta në ar dhe me të blen atë valutë nga ai vendi që e ka.
Mund të thuhet se kjo është arsyeja kryesore që vendet anëtare, një pjesë të kuotës së vet, e paguajnë
në ar.
Më në fund, parashihet edhe mundësia që, në situatë të jashtëzakonshme, kur shfaqet kërkesë e
madhe për ndonjë valutë kombëtare, Fondi Monetar Ndërkombëtar të intervenojë në mënyrë
administrative dhe ta shpallë atë valutë si "të rrallë". Në atë rast, Fondi i rekomandon vendit, valuta e
të cilit është shpallur "e rrallë", që të ndërmarrë masa të nevojshme ekonomiko-politike, me qëllim që
të zvogëlohet suficiti në bilancin e pagesave. Nëse pas një kohe normalizohet situate e bilancit të
pagesave të atij vendi, atëherë Fondi shpall se ajo valutë, nuk është më "e rrallë".

No comments:

Post a Comment