Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka organizuar një tryezë të rrumbullakët me temën “Funksionimi i Agjencive të Pavarura dhe Ndërmarrjeve Publike”, ku është diskutuar për funksionimin në tërësi të Agjencioneve të Pavarura dhe Ndërmarrjeve Publike, bazën ligjore, pavarësinë, politizimin dhe raportimin ligjor të tyre etj. Pjesëmarrësit kanë vlerësuar se ka probleme të theksuara sikurse politizimi i bordeve, mungesa e llogaridhënies, si dhe problemi i pagave dhe mëditjeve që vazhdon të jetë shumë i dallueshëm nga institucioni në institucion.
Pjesëmarrës në këtë tryezë kanë qenë përfaqësues të Qeverisë, Agjencive të Pavarura dhe të Ndërmarrjeve Publike, deputetë të Kuvendit të Kosovës si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Kryetari i Komisionit parlamentar për Legjislacion, Arben Gashi ka vlerësuar se ka mungesë të strukturimit dhe sistemimit të shtetit të Kosovës, ku sipas tij në këtë kuadër bëjnë pjesë edhe Agjencionet e Pavarura dhe Ndërmarrjet Publike. Sipas Gashit,vendi ka dështuar në qeverisjen korporatave të ndërmarrjeve publike.
Pranvera Dobruna, anëtare e bordit të KEK-ut ka shpjeguar funksionimin e kësaj Ndërmarrje Publike. Dobruna ka folur edhe për trekëndëshin dhe raportet ndërmjet KEK-ut, Qeverisë dhe Rregullatorit të Energjisë. Sipas saj, raportet ndërmjet këtyre tre segmenteve janë të rregulluara mirë me ligj, ndërkaq ajo shtoi se duhet shikuar mundësinë e fuzionimit të disa agjesioneve sepse numri i tyre është i madh.
Nga ana tjetër, Safete Hadërgjonaj, kryetare e Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa ka thënë se mungesa e Ligjit për Pagat të Zyrtarëve të Lartë Publik, ka ndikuar për të pasur mungesë të uniformitetit në paga dhe mëditje të institucioneve të pavarura. Po ashtu edhe Hadërgjonaj ka bërë vërejtje për numrin e madh të Agjencive të Pavarura që janë krijuar dhe po krijohen vazhdimisht.
Ndërkohë, Agron Krasniqi nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka folur për rëndësinë e pavarësisë së institucioneve të pavarura, sikurse pavarësia në përzgjedhjen e anëtarëve të bordeve. Sa i përket politizimit të bordeve, Krasniqi ka vlerësuar se duhet bërë dhe respektuar kriteret në bazë të të cilave përzgjidhen bordet.
Ramadan Sejdiu nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka potencuar nevojën e plotësim-ndryshim të Ligjit për Ndërmarrjet publike. Sipas tij, duhet të qartësohet më shumë mbikëqyrja e Ndërmarrjeve Publike.
Ndërkaq, gjatë debatit, pjesëmarrësit kanë kërkuar angazhimin të përgjithshëm edhe të shoqërisë civile, edhe të institucioneve për të ndryshuar gjendjen e funksionimit të ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura. Në debat është vënë në pah edhe nevoja e shqyrtimit të mundësive për ndryshime ligjore dhe zvogëlim të numrit të agjencive të pavarura
No comments:
Post a Comment