11/18/2013

Gjysma e kosovarëve të varfër

Gati gjysma e kosovarëve përballen me varfërinë, përderisa shumë prej tyre jetojnë në varfëri të skajshme me vetëm 1 euro në ditë. Sipas një publikimi të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës(ASK) në bashkëpunim me Bankën Botërore, në vitin 2010 në Kosovë rreth 29.2 për qind e popullsisë ka jetuar në varfëri të plotë me vetëm 1.55 euro në ditë për një person të rritur dhe 8.2 për qind e kosovarëve jetojnë në varfëri të skajshme me vetëm 1.02 euro në ditë. 
“Varfëria në zonat rurale dhe urbane janë pothuajse të barabarta , varfëria e plotë në zonat rurale është 30.7 për qind ndërsa në zonat urbane 26.7 për qind , ndërsa varfëria ekstreme në zonat urbane është 7.8 për qind ndërsa në zonat rurale është 8.5 për qind”, thuhet ndër të tjera në publikimin e ASK-së.
Bazuar në statistikat e ASK-së 36 mijë e 129 familje kosovare me 157 mijë e 329 anëtarë marrin asistencë sociale nga shteti.
Përpos atyre që nuk punojnë dhe që varen nga ndihmat e ulëta sociale, përfaqësues të punëtorëve thonë se edhe këta të fundit përballen me varfëri për shkak të ardhurave të ulëta.
Haxhi Airifi, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës(BSPK), ka thënë të martën për “Zërin” se nga fillimi i procesit të privatizimit e deri më tani rreth 70 mijë punëtorë kanë humbur vendet e tyre të punës, të cilët kanë mbetur raste sociale. “Të gjithë këta përballen me një gjendje të vështirë sociale dhe familjet e tyre jetojnë në varfëri”, shprehet Arifi.
Sipas tij, edhe ata që janë duke punuar nuk marrin paga dinjitoze në Kosovë. “Nuk e di si mund të kalohet muaji me 150 euro. Shumë të punësuar në sektorin privat paguhen 150 euro në muaj dhe me këtë pagë është e pamundur një familje t’i blej artikujt elementar për një muaj e lëre më për gjërat tjera”, potencon Arifi.

No comments:

Post a Comment