11/28/2013

Deflacioni, më i frikshëm se inflacioni




Pavarësisht se në treg janë hedhur miliardë dollarë, euro, paund, apo jen nga bankat qendrore më të mëdha të botës në vitet e fundit, investitorët e shikojnë deflacionin si një kërcënim më të madh se inflacioni në 12 deri në 24 muajt e ardhshëm.

Rreth 60 për qind e 912 investitorëve globalë, të anketuar nga Barclays e shikojnë rënien e çmimeve si një rrezik global, më të madh se rritja e çmimeve. Frika e deflacionit reflektohet edhe në opinionin e investitorëve për të blerë ar, që zakonisht përdoret si një mbrojtje ndaj inflacionit. Për këtë arsye rreth 25 për qind e investitorëve parashikojnë se çmimi i arit do të bjerë poshtë 1 mijë e 200 dollarë për onz deri në fund të tremujorit të parë të vitit 2014, ndërsa 25 për qind të tjerë parashikojnë se ari do të tregtohet midis 1 mijë e 200 deri në 1 mijë e 250 dollarë për onz.
Për shembull, rritja e presioneve deflacioniste në zonën euro është kthyer në një shqetësim serioz, duke bërë që Banka Qendrore Europiane të ulë normën bazë të interesit në një nivel të ri rekord prej 0.25 për qind. Inflacioni në Eurozonë ra në 0.7 për qind në tetor, niveli më i ulët që nga Nëntori i vitit 2009, duke shkaktuar shqetësime se rajoni është pranë rrezikut të deflacionit sipas stilit japonez. Në mjedisin e tanishëm, rënia në deflacion do të ishte shumë i keq, pasi ulja e pagave dhe e çmimeve do të bënte që shlyerja e borxhit të ishte shumë e vështirë. Gjithsesi, shqetësimi kryesor i investitorëve është perspektiva e Rezervës Federale për të zvogëluar sasinë e blerjes së bonove, raporton Scan TV.
Shumica e tyre parashikojnë se Banka Qendrore Amerikane do të fillojë të zvogëlojë masën e blerjes së bonove në Mars të vitit 2014. Sa i përket tregut të aksioneve, rreth 60 për qind e investitorëve parashikojnë një kthim të mirë nga investimi gjatë tre muajve të ardhshëm. Të njëjtin shqetësim ndan edhe Banka e Shqipërisë që vetëm një ditë më parë uli sërish normën bazë të interesit në një nivel të ri rekord prej 3.25 për qind.
Guvernatori Ardian Fullani tha se ky vendim vjen në përgjigje të rritjes së dobët ekonomike dhe presioneve të ulëta inflacioniste. Banka Qendrore synon të ulë më tej normat e interesit në tregjet financiare, me qëllim për të nxitur konsumin dhe investimet private

No comments:

Post a Comment