Prodhuesit kosovarë ankohen se produktet e importuara nga jashtë i rrezikojnë produktet e tyre. Vendet prej nga importojmë, sipas tyre, kanë politika më të mira fiskale dhe janë të liruara nga ngarkesa tatimore, derisa produktet e Kosovës nuk kanë lehtësira të tilla.
Importi në vendin tonë tash e dy apo më shumë dekada është dukshëm më i madh se eksporti. Gjatë muajit mars të këtij viti, deficiti tregtar i Kosovës ka qenë 172.1 milionë euro. Në këtë muaj eksportet mbuluan importet me vetëm 11.8 për qind. Në total, nga eksportet u realizuan 23.1 milionë euro, derisa vlera e importit ishte 195 milionë euro.
Këto të dhëna, sipas përfaqësueseve të biznesit, duhet t’i shtyjnë institucionet e Kosovës që të ndërmarrin masa konkrete për favorizimin e prodhuesve vendorë.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, tha për Radion Evropa e Lirë se prodhuesit vendorë janë në një pozitë të palakmueshme krahasuar me prodhuesit e shteteve tjera.
“Prodhuesi vendor është tejet i sulmuar nga importi i madh i produkteve të vendeve të ndryshme, e sidomos nga shtete me të cilat vendi ka marrëveshje CEFTA, që nuk i nënshtrohen taksës doganore. Kurse, disa prodhime të Kosovës, për lëndën e parë për prodhim paguajnë doganë dhe TVSH. Kjo e dobëson forcën konkurruese të biznesit vendor dhe e bën të pabarabartë në tregun e Kosovës, e lëre më për eksport jashtë vendit”, tha Shahini.
Të dhënat statistikore tregojnë se eksportin tonë e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, produktet minerale. Përqindja më e madhe e eksportit të produkteve kosovare bëhet drejt vendeve të BE-së, Shqipërisë, Zvicrës dhe Maqedonisë. Ndërsa, importohen produkte minerale, ushqime të përgatitura, pije dhe duhan. Përqindja më e madhe e mallrave të importuara vjen nga vendet e BE-së, Serbia, Maqedonia, Turqia dhe Kina.
Bedri Kosumi, pronar i kompanisë “Pestova”, tha se produktet e tyre rrezikohen nga një konkurrencë e padrejtë.
“Importi është shumë agresiv. Ne dëshirojmë të jemi konkurrentë , mirëpo jemi në një konkurrencë të pabarabartë, për arsye se kostoja e prodhimit në Kosovë është më e lartë sesa në vendet tjera. Por, gjithsesi, ne po punojmë dhe po mundohemi të punojmë”, u shpreh Kosumi.
Sipas tij, deri më tani ka pasur disa përparime në stimulimin e prodhuesve vendorë, por ajo që kërkohet është heqja e taksës për importin e lëndës së parë.
Mjaft kritik për politikat e pafavorshme fiskale në Kosovë u shpreh edhe Shahini. Sipas tij, prodhuesit vendorë ngarkohen me shumë taksa doganore, e që nuk i kanë prodhuesit e vendeve të rajonit e më gjerë. “Politikat nga vitit në vit janë në përmirësim, por jo në nivelin e kërkuar nga bizneset për arsye se për lëndë të parë dhe teknologji paguhet dogana dhe TVSH-ja në momentin kur hyn malli në kufi dhe kjo bën që biznesi vendor të paguajë gjithë këto obligime pa e hedhur produktin e vet në shitje, pa e prodhuar dhe kjo nuk ndodh askund përveç në Kosovë”, bëri të ditur Shahini.
No comments:
Post a Comment