Nënshkrimi i marrëveshjeve me shtetet e rajonit, për zhvillimin e tregtisë pa barriera ka filluar të rritet. Kosova, përveç marrëveshjeve që i ka si vend anëtar i CEFTA-s, tash marrëveshja të tilla po nënshkruan edhe me shtetet tjera që nuk janë pjesë e këtij autoriteti. Marrëveshja për Tregti të Lirë me Turqinë e nënshkruar para dy muajve, përveç që lehtëson eksportin e prodhimeve kosovare atje, ajo mbron edhe disa prodhime. Madje, kjo marrëveshje mundëson që prodhimet e vendit të mbrohen për 10 vjet. Por për të eksportuar në Turqi apo edhe në vendet e Bashkimit Evropian (BE), prodhime vendore duhet të rritet cilësia dhe kualiteti i tyre si dhe mënyra e përzgjedhjes.
Fermerët të cilët merren me kultivimin e prodhimeve bujqësore thonë se ky hap është i qëlluar, i cili do të ndikojë edhe në rritjen e cilësisë së prodhimeve.
Safet Blakaj nga Shoqata “Pema”, ka thënë për Portalin “Ferma Ime”se nënshkrimi i marrëveshjes për tregti me Turqinë është hap i mirë, por u mbetet fermerëve që ta përmirësojnë cilësinë për të depërtuar në tregun e këtij shteti.
“Natyrisht marrëveshja është hap i mirë dhe i qëlluar, por ne si fermerë duhet që të angazhohemi më shumë për të rritur cilësinë. Po ashtu edhe te selektimi i pemëve duhet të jemi më të kujdesshëm pasi që Turqia është një treg i madh”, tha ai.
Sipas Blakajt, marrëveshjet e tilla janë edhe një shtytje për fermerët që të angazhohen për të rritur cilësinë dhe sasinë e pemëve të kultivuara. “Patjetër se duhet të rritet cilësia e po ashtu dhe selektimi. Konsideroj se brenda dy-tre vjetëve ne do të arrijmë të kultivojmë mollë edhe për të eksportuar në Turqi”, thekson Blakaj. Ai ka treguar se nevojat konsumuese nga prodhimi vendor Kosova i plotëson në masën prej 25 për qind.
Ndërkaq, zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), kanë thënë se për një dekadë do të mbrohen produktet, të cilat gjatë viteve të fundit kanë shënuar rritje. Ata kanë treguar se për 52 produktet më të rëndësishme bujqësore, të cilat janë më të ndjeshme për prodhuesit bujqësorë në Kosovë, është vendosur të jenë të mbrojtura për 10 vjet. Në këtë mbrojtje hyjnë prodhimet e qumështit, pemët, perimet, prodhimet e miellit, uji, birrat dhe industritë e tjera, që gjatë këtyre viteve kanë njohur rritje.
Me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve për tregti të lirë besohet se do të ketë ulje te dominimit të importeve drejtë eksporteve të prodhimeve vendore. Ndryshe, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), eksportet gjatë muajit shtator mbulojnë importet me vetëm 11.8 për qind. Në përgjithësi, nga eksportet u realizuan 23.1 milionë euro, derisa nga importi 195 milionë euro
No comments:
Post a Comment